
Përkujto se përkujtimi ju bën dobi besimtarëve
May 27, 2025 at 07:20 AM
Sot fillon dhjetë ditëshi i parë i muajit Dhul Hixhe.
Këto ditë Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kur’an dhe për këtë arsye ato kanë një vlerë shumë të madhe, prandaj duhet shfrytëzuar sa më shumë në vepra të mira.
Allahu i Madhëruar betohet në këto ditë:
“Pasha Agimin, Pasha dhjetë ditët, Pasha tekun dhe çiftin…” I dërguari i Allahut për këtë ajet të Kur’anit sqaron: “Dhjetë ditët janë ditët e kurbanit (të muajit Dhul Hixhe), “teku” është dita e Arafatit,ndërsa çifti dita e kurbanit”.
Gjatë këtyre ditëve preferohet përmendja e shpeshtë e Allahut. Përmendja e Allahut pëlqehet në çdo kohë, por në këto ditë ajo është akoma më e pëlqyeshme. Në mënyrë të veçantë do të vinim theksin në përmendjen e tekbirit (Allahu Ekber), Tehlilit (La ilahe il`Allah), dhe Tahmidit (Elhamdulilah).
Allahu i Madhëruar thotë: “me të vërtetë zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut?!”.
Allahu i Madhëruar në librin e Tij, na nxit që ta përmendim sa më shumë Allahun: “Dhe kujtojeni Allahun në ditët e caktuara”; këto ditë janë ditët e haxhit(në ditët e Dhulhixhes).
Pendimi është më se i nevojshëm në këto ditë, për shkak se ai ka si shpërblim faljen e mëkateve nga Allahu i Madhëruar.
Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: O robërit eMi të cilët e keni ngarkuar veten me gabime, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet, Allahui fal të gjitha mëkatet."
Seid ibn Xhubejri رضي الله عنه na tregon:
Kur hynin dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, i dërguari i Allahut falej aq shumë sa askush nuk falej si ai, dhe thoshte: “Mos i fikni llambat e këtyre netëve të Dhul Hixhes!”, ngaqë i pëlqente shumë adhurimi në këto netë të bekuara.
I dërguari i Allahut i ka nxitur besimtarët që këto kohë të begata t’ia kushtojnë adhurimit të Allahut, me qëllim që të pastrojnë shpirtrat prej mekateve e të meritojnë mirësinë e shpërblimit e Allahut.
Ibn Abbasi رضي الله عنه transmeton se Pejgamberi صلى الله عليه و سلم , ka thënë:
''Nuk ka ditë në të cilën veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se sa veprat e mira në këto ditë ''- duke iu referuar dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes.'' (Buhariu)
Pejgamberi صلى الله عليه و سلم, e veçoi rëndësinë dhe madhësinë e këtyre ditëve në hadith, ku thotë Pejgamberi صلى الله عليه وسلم :
"Ditët më të mira në këtë botë janë dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes".
Imam Ahmedi transmeton se Pejgamberi صلى الله عليه وسلم , ka thënë:
"Nuk ka ditë më me vlerë e më të preferuara të Allahut të Plotfuqishëm për të bërë vepra të mira se në këto ditë, për këtë arsye, përmendni shpesh tehlil (La ilaheil-la Allah), tekbir (Allahu Ekber), dhe tahmid (Elhamdulillah)." (Ahmedi)
Veprat e mira që mund të bëjmë gjatë këtyre ditëve
1. Falja e namazeve nafile ditore (duke filluar së pari me namazet farz )dhe ato të natës.
Pejgamberi صلى الله عليه و سلم , ka thënë: “Bëjë shumë sexhde, sepse nuk ka sexhde që do të bësh Allahut, e që Ai të mos të ngrit në derexhe (pozitë) më të lartë dhe të fshijë një gjynah."
Kjo tregon se këto net kanë një vlerë të madhe, dhe se ibadeti në to ka shpërblim të posaçëm, siç është ndër to edhe falja e namazit vullnetar, leximi i Kuranit, etj., e që e gjithë kjo është traditë e të parëve tanë të pastër në fe.
2. Pendimi (Tevbe).
Edhe pse pendimi duhet të bëhet vazhdimisht, është veçanërisht e rëndësishme për të përfituar nga këto ditë të bekuara dhe sa më shumë duhet të pendohemi sinqerisht dhe t'i kthejmë zemrat tona ka adhurimi i Allahut Fuqiplotë dhe Falës i Madh.
3. Bamirësia ndaj prindërve.
4. Vizita e të afërmve, miqve, të afërmve, të sëmurëve.
5. Leximi i Kuranit dhe të mësuarit tjerëve Kuranin, veçanërisht në këto ditë.
6. Qëndrimi në xhami në mes të namazeve, sidomos qëndrimi në xhami pas namazit të sabahut e deri në agim, lindjen e diellit.
7. Bërja e dhikrit (të përmendurit e Allahut të Madhëruar, sidomos pas namazeve, para gjumit, në mëngjes dhe mbrëmje, duke thënë sa më shumë tehlila (la ilaheil-laAllah), Tekbir (Allahu Ekber), tahmid (Elhamdulillah)) etj.
8. Dhënie e sadakasë (lëmoshës), edhe nëse është një sasi e pakët, mos e anashkalo gjatë këtyre ditëve.
9. Thirrja e njerëzve në fenë e Allahut, duke shpjeguar rregullat e fesë së Allahut për ata që kanë nevojë.
10. Ruajtja maksimale dhe largimi nga mëkatet, sidomos mëkateve të mëdha si: tallja me fe, mos falja e namazit në kohën e vet dhe vonimi i namazit, gibeti, thash e theme, gënjeshtra, shikimi në gjëra të ndaluara, kamata, ryshfeti, etj.
Hoxhë Muharrem Jakupi
Na ndiqni në Whatsapp:
https://whatsapp.com/channel/0029Va9rTxd1CYoKUeB4Ms0m
Na ndiqni në Telegram:
https://t.me/perkujtim_vellazeror
❤
❤️
2